Policia e Kosovës ka lëshuar një kërkesë për bashkëpunim me qytetarët për identifikimin e disa personave të cilët po dyshohen si kryes të disa vjedhjeve.
“Lidhur me disa raste të vjedhjeve të rënda të ndodhura në fshatin Turjakë në Malishevë, nga Stacioni Policor në Malishevë, janë duke u zhvilluar hetime intensive, ku gjatë veprimeve hetimore janë siguruar fotografi (nga kamerat e sigurisë) të personave që dyshohen se janë kryes të këtyre vjedhjeve”, ka njoftuar policia.
Sipas tyre, deri më tani nuk është arritur të bëhet identifikimi i identitetit të të dyshuarve, edhe përkundër angazhimeve të shumta hetimore dhe operative.
“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për identitetin dhe vendndodhjen eventuale të të dyshuarve të paraqitur në fotografinë e bashkangjitur, të lajmërojnë Policinë e Kosovës, stacionin më të afërt policor, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë ‘’ dhe në numrat kujdestarë: 192 (pa pagesë) dhe 0390310482 (Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë)”, thuhet në njoftim të policisë.