Një zyrtar i Shërbimit Korrektues të Kosovës është arrestuar dje në Mitrovicë pasi i ka kërkuar mijëra euro një të burgosuri për të ndikuar në faljen e pjesës së mbetur të dënimit.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar zyrtar në shërbimin korrektues –Qendrën e Paraburgimit Mitrovice pasi që, i njëjti i ka kërkuar të holla një të burgosuri i cili është në vuajtje të dënimit, për të ndikuar në faljen e pjesës së mbetur të dënimit. I dyshuari ka kërkuar të holla në vlerë të 2500.00 euro ku gjysmën e shumës të paguaj përmes të afërmeve të tij e pjesën tjetër kur të lirohet.” , ka informuar Policia.
I dyshuari në një parking ka pranuar shumën prej 1 mijë e 300 eurove, me ç'rast, gjatë kontrollit në veturën e tij i janë gjetur dhe sekuestruar të hollat.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari do të dërgohet në mbajtje.
Rasti është cilësuar si “Marrje e ryshfetit”.