Rastet e dhunës në familje përditë e më shumë po rriten në vendin tonë. Viktima janë kryesisht gratë të cilat shpesh hezitojnë të raportojnë në Polici dhunën që përjetojnë nga bashkëshortët e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë në një familje në Malishevë. Këtë herë, rasti është denoncuar nga vëllai i një gruaje.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se denoncuesi e ka raportuar dhëndrin në Polici, nën dyshimet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj vajzës së tij.
Sipas dëshmisë së viktimës, i dyshuari e ka sulmuar fizikisht gruan e tij, duke i shkaktuar lëndime trupore për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme që kanë pasur mes vete, probleme këto që s’kanë arritur t’i zgjidhnin.
Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në lëvizje, me ç’rast i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku është përballur me denoncimin kundër tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë në familje”, kurse gruaja është dërguar te prindërit e saj, ku ndihet më e sigurt.