Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për falsifikim të parave. Lidhur me këtë rast, ditë më parë ishte arrestuar një tjetër person i cili dyshohet t’i ketë pranuar paratë e falsifikuara.
Policia e Kosovës kishte zbuluar dhe sekuestruar 4 mijë e 700 euro që dyshohet të jenë falsifikuar.
Më 22 maj Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës kishin arrestuar të dyshuarin e parë me inicialet V.T.
“Dhe është pas një pune profesionale hetimore janë siguruar prova të reja (video incizime) me të cilën sigurohet se në këtë rast është i përfshirë edhe personi tjetër (nr.2) i dyshuari me iniciale (F.Q.), përmes të cilave prova ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari (nr.1) i ka pranuar paratë e falsifikuara nga personi tashmë i dyshuar me (nr.2)”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Gjithashtu, është realizuar urdhëresa e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për kontrollimin e banesës së të dyshuarit të dytë me iniciale F.Q, në qytetin e Pejës.
I dyshuari F.Q është shoqëruar në stacionin policor në Pejë për intervistim, dhe me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.