Për shkak të mosmarrëveshjeve e konflikteve verbale, qytetarët shpesh herë përfshihen edhe në përleshje fizike. E gjatë përleshjeve, pos grushteve përdoren edhe mjete të forta e të mprehta, ku si pasojë shumë raste kanë përfunduar edhe me fatalitet.
Në një përleshje fizike janë përfshirë mbrëmë edhe tre të rinj në rrugën ‘Fehmi Agani’ në Prishtinë, ku si pasojë ka mbetur i therur me thikë një 18-vjeçar.
Burimet e medias brenda Emergjencës kanë bërë me dije se i riu është dërguar atje me plagë që dyshohej se i ishin shkaktuar si pasojë e goditjeve me thikë. Pas dhënies së ndihmës mjekësore, gjendja e viktimës është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme, si dhe kanë arrestuar dy të dyshuarit.
Dy të rinjtë janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar lidhur me rastin e rëndë.
Me urdhër të prokurorit, ata janë dërguar në mbajtje dhe do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.