Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve.
E në shumë raste konfliktet eskalojnë në ofendime e kërcënime, me ç’rast nevojitet ndërhyrja e Policisë.
Një rast i tillë ka ndodhur mesditën e sotme në Prizren, ku një person dyshohet se ka kanosur djalin e tij.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 27-vjeçari ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka denoncuar babanë e tij.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Kanosje’, ndërsa i dyshuari do të hetohet në liri.