Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje e kanosje serioze, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë. Një rast i tillë ka ndodhur të mërkurën në Mitrovicë.
Këtë herë dy vëllezër kanë kërkuar ndihmën e Policisë, me ç’rast kanë raportuar se janë kërcënuar nga një person për shkak të një mosmarrëveshje.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari V.H., i ka kanosur me vrasje dy viktimat, duke iu shkaktuar frikë e shqetësim.
Sinjali mëson se motivi i incidentit dyshohet të jetë një problem i mëhershëm që palët kanë pasur mes vete, e që i futi sërish në telashe.
Posa rasti është denoncuar në Polici, një njësi policore ka intervenuar në vendin e ngjarjes, por i dyshuari ende nuk është kapur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Kanosje”, ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit.