Mosmarrëveshjet për prona po vazhdojnë të shkaktojnë përleshje e telashe të shumta mes qytetarëve, e madje të përfundojnë edhe tragjikisht, siç ndodhi para disa muajsh në Gjakovë, ku u vranë dy vëllezër. Të tilla raste zakonisht nisin me zënka e konflikte verbale, e më pas eskalojnë edhe në përleshje e kanosje serioze.
Kështu ka ndodhur edhe së fundmi në një familje në rrugën “Çamëria” në Prishtinë, ku dy anëtarë të një familje, babë e bir, janë futur në sherr me njëri-tjetrin.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se babai dyshohet se është kapur me djalin e tij, pas mosmarrëveshjeve që i kanë pasur mes vete, lidhur me pronat që janë ndarë për familjarët e tyre.
I biri ishte ai që e denoncoi babanë në Polici, me ç’rast njësitet përkatëse intervenuan në vendin e ngjarjes.
Pas kontrollit të personit të dyshuar, zyrtarët policorë kanë gjetur një armë me rreth 10 fishekë, që janë sekuestruar si dëshmi, ndërkohë që i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
I dyshuari ka dhënë deklaratën e tij për rastin për të cilin dyshohen dhe pas përfundimit të procdurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij në drejtim të veprës penale “Armëmbajtje pa leje”.