Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre. Ato shpeshherë nuk kanë guxim t’i denoncojnë këto raste në Polici për shkak se përballen me kanosje serioze.
Raste të tilla kanë ndodhur së fundmi në një familje në Malishevë, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar vazhdimisht dhunë psikike dhe fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se gruaja ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi u ballafaqua me burrin e saj, i cili e sulmoi fizikisht pasi u kthye në shtëpi i dehur.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është përballur me denoncimin kundër tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim që i njëjti të ndalohet dhe ndaj tij të nisin hetimet për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.