Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre. Ata shpesh kapen në flagrancë me armë të ftohta e mjete të tjera të rrezikshme.
Kështu ka ndodhur së fundmi në rrugën ‘Ahmet Krasniqi’ në Prishtinë, ku një 28-vjeçar është ndaluar nga Policia, në një pikë kontrolli, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.
Pas kontrollit policor, te i dyshuari janë gjetur dy mjete të mprehta (thika) që janë sekuestruar, ndërsa i njëjti është shoqëruar në stacion policor ku u intervistua nga hetuesit policorë.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“