Denoncimi i një prindi nga fshati Sllatinë e Epërme të Vitisë për rrëmbimin e vajzës së tij ka aktivizuar Policinë dhe Prokurorinë për nisjen e hetimeve. Rasti u raportua të shtunën në orët e mbrëmjes, kur viktima kërkoi ndihmën e Policisë për ta shpëtuar vajzën e tij, që dyshohet se është keqtrajtuar nga një 22-vjeçar.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se vajza e moshës 21-vjeçare ishte larguar nga shtëpia e saj që gati një javë pasi i dyshuari e kishte marrë dhe sipas informacioneve të para, e ka dërguar në Shqipëri.
Mësohet se bazuar në dëshminë e prindit të vajzës, familja fillimisht kishte menduar se gjithçka ishte në rregull, por më vonë e kuptuan se i dyshuari e ka keqtrajtuar fizikisht 21-vjeçaren, e cila fshehurazi i kishte njoftuar.
I shqetësuar jashtëzakonisht për të bijën, prindi i saj ka kërkuar ndihmën e Policisë, me ç’rast ka deponuar edhe dëshmi, që do të shfrytëzohen si prova në hetimin e këtij rasti.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Rrëmbim” dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.
Rastin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Gjilan.
“Ankuese mashkull kosovar, më datë 26.08.2023 ka raportuar se nga data 20.08.2023 dyshohet se vajza e tij është rrëmbyer nga i dyshuari mashkull kosovar dhe është dërguar në Shqipëri dhe deri me tani gjendet atje. Ankuesi nuk e kishte raportuar rastin deri me tani pasi që kishte menduar se vajza e tij kishte shkuar me vullnetin e saj. Rasti është duke u hetuar.”