Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një rast i tillë është zbuluar në orët e para të së hënës, në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, ku një person është kapur në flagrancë me lëndë narkotike.
Burime brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit trupor, zyrtarët policorë kanë gjetur te i dyshuari 20-vjeçar një sasi të substancës së dyshuar narkotike, të llojit kokainë.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ndërsa droga është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Të njëjtat burime thonë se i dyshuari e ka mohuar se është përdorues i drogës, duke deklaruar se narkotikët i kishte blerë për mikun e tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.