Numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues. Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, të cilët me raste edhe ikin nga vendi i ngjarjes.
Kështu ka ndodhur para disa ditësh në rrugën “Gjergj Sokoli” në Gjakovë, ku një veturë e ka goditur një biçiklist. Shoferi i dyshuar fillimisht ishte larguar nga vendi ku shkaktoi aksidentin dhe nuk u dorëzua deri të shtunën.
Mësohet se 31-vjeçari është paraqitur gjatë ditës së djeshme në Polici, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me aksidentin.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera të nevojshme, brenda afatit ligjor.
Ndryshe, aksidenti ka ndodhur më 31 gusht, kur i dyshuari ka goditur një biçiklist, i cili si pasojë e përplasjes ka pësuar lëndime të rënda trupore.