Aksion i Policisë në Zveçan, sekuestrohet armatim në një shtëpi të pabanuar

Kronikë e zezë

Aksion i Policisë në Zveçan, sekuestrohet armatim në një shtëpi të pabanuar

Më: 5 shtator 2023 Në ora: 12:55
Sekuestrimi i armëve

Një sasi e armatimit është kapur sot në Zveçan, pas një aksioni policor, që u zhvillua në një shtëpi të pabanuar.

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë atje, Veton Elshani, i cili tha se aksioni rezultoi me sekuestrimin e armëve të ndryshme, municion e granata dore.

Elshani shtoi se nuk ka të arrestuar, teksa hetimet lidhur me rastin kanë nisur.

Kujtojmë se më 14 gusht, Policia e Kosovës ka konfiskuar mbi 1.200 fishekë në fshatin Rudine të Zveçanit. Kjo sasi e dyshimtë ishte konfiskuar nga Njësia e saj për Ndërhyrje të Shpejtë, gjatë patrullimeve në atë zonë.

Ndërsa më 11 gusht, Policia e Kosovës i ka arrestuar pesë persona në Zveçan, të cilët kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të Policisë, derisa kjo e fundit ka thënë të ketë qenë duke e luftuar kontrabandën.

Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të larta sidomos në maj dhe qershor të këtij viti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat