Mbajtja e armëve nga të miturit tashmë është bërë dukuri që po shqetëson prindërit dhe shoqërinë, mirëpo kjo dukuri duket se i ka prekur edhe të miturit. Këta të fundit në shumë raste i përdorin ato edhe gjatë përleshjeve, por ka herë kur ndodh që aksidentalisht shkaktojnë lëndime te personat e tjerë.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në Shkollën e Mesme të Mjekësisë ‘Hysni Zajmi’ në Gjakovë, ku një i mitur është therur me thikë nga shoku i tij.
Burimet brenda Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë kanë bërë me dije se 16-vjeçari është dërguar atje me plagë që i janë shkaktuar nga goditjet me thikë.
Pas intervenimit të stafit mjekësor, gjendja shëndetësore e të miturit është stabilizuar dhe ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Ndërkohë lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë marrë dëshmitë e të dyshuarit dhe viktimës.
Sipas informacioneve, dy të miturit kanë pohuar se janë shokë të ngushtë dhe gjithçka ka ndodhur aksidentalisht derisa po luanin në klasë.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari do të hetohet në liri për veprat penale ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.