Këta janë dy të dyshuarit që sulmuan dhe penguan Policinë në Gjilan, njëri prej tyre u kap me drogë

Kronikë e zezë

Këta janë dy të dyshuarit që sulmuan dhe penguan Policinë në Gjilan, njëri prej tyre u kap me drogë

Më: 12 shtator 2023 Në ora: 15:37
Ilustrim

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.

Një rast i tillë ka ndodhur dje te shkollat e mesme në Gjilan, ku një zyrtar policor është sulmuar dhe penguar nga dy persona, pasi njëri prej tyre është kapur me një sasi të substancës narkotike, të llojit marihuanë.

Mësohet se derisa zyrtari policor ishte duke e arrestuar të dyshuarin që u kap me drogë, i njëjti e ka goditur, ndërsa shoku i tij ka rezistuar, duke e penguar ta kryejë punën.

Burimet e njëjta thonë se i dyshuari kryesor që është prangosur në vendin e ngjarjes është Musli Ibrahimi, kurse i dyshuari tjetër është Elton Fetahu.

Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj të dyshuarit Ibrahimi, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalim policor për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes se detyrës zyrtare”, teksa rast është iniciuar edhe ndaj të dyshuarit tjetër.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Gjilan.

“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi gjatë kontrollit te njëri nga të dyshuarit është gjetur një cigare me substancë të dyshuar narkotike, me ç’rast gjatë arrestimit të të njëjtit , i njëjti kishte rezistuar dhe e kishte sulmuar fizikisht zyrtarin policor, të cilit  i ka shkaktuar edhe lëndime trupore, po ashtu i dyshuari tjetër e kishte penguar zyrtarin policor në kryerje të detyrës, i cili pasi ishte larguar në drejtim të panjohur ishte lokalizuar dhe arrestuar nga njësitë policore. Me vendim të prokurorit kujdestar njërit nga të dyshuarit  i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.”, ka njoftuar Policia.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat