Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një rast i tillë është zbuluar sot në rrugën ‘Lidhja e Pejës’ në Pejë, ku njësitë policore kanë kryer bastisje në shtëpinë e një personi të dyshuar për posedim të lëndëve narkotikë.
Burimet e medias brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë bastisjes në shtëpinë e 19-vjeçarit janë gjetur dhe sekuestruar mbi 60 qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, të cilat ishin bërë gati për shitje.
I dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të proceduarve policore, Prokurori ka urdhëruar ndalimin e tij dhe inicimin e rastit ndaj tij për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, është e jashtëligjshme që qytetarët të blejnë, posedojnë apo shpërndajnë substanca narkotike dhe mund të dënohen me gjobë apo burgim, varësisht nga sasia dhe lloji i lëndës narkotike që iu kapet nga autoritetet e rendit.