Arrestohet një nëpunës në Deçan, dyshohet se mori ryshfet 1800 euro

Kronikë e zezë

Arrestohet një nëpunës në Deçan, dyshohet se mori ryshfet 1800 euro

Më: 13 shtator 2023 Në ora: 16:49
Foto ilustrim

Policia e Kosovës njofton se kanë arrestuar një nëpunës në Qendrën Komunale të Regjistrit Civil në Deçan, i cili dyshohet se në tri raste përmes institucioneve bankare ka pranuar të holla rreth 1800 euro.

Sipas policisë, hetuesit policorë nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Pejë, pas një pune intensive hetimore disa ditore, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore-Pejë, kanë arritur të sigurojnë dëshmi se një i dyshuar është përfshirë në veprimtari penale.

“I dyshuari, H.I., (viti i lindjes 1964, mashkull kosovar), nëpunës në Qendrën Komunale të Regjistrit Civil – Deçan, gjatë vitit 2022 dhe fillim të vitit 2023, në tri raste përmes institucioneve bankare ka pranuar të holla (rreth 1800 euro). I dyshuari, të hollat i ka pranuar nga viktima e rastit J.J., nga Deçani i cili jeton në Zvicër, me qëllim që të njëjtin ta regjistrojë në sistemin e gjendjes civile në Deçan”, thuhet në raport.

Policia bën të ditur po ashtu se në fund të muajit gusht 2023, në Facebook është publikuar edhe një pretendim se i dyshuari, në mënyrë të njëjtë ka vepruar edhe me qytetarin H.E., i cili jeton në Gjermani.

“Mbi bazën e këtyre dëshmive e pretendimeve, është krijuar dyshimi se H. I., dyshohet të ketë kryer veprën penale: ‘marrja e ryshfetit’. Hetuesit policorë janë duke vazhduar me trajtimin e rastit përfshirë identifikimin dhe intervistimin e viktimës së dytë (H.E., nga Gjermania)”, thuhet në raport.

Sipas policisë sot, i dyshuari është arrestuar, është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe me aktvendim nga prokurori është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat