Aksion në Prizren: Arrestohet dilleri i drogës, Policia ia bastis shtëpinë

Kronikë e zezë

Aksion në Prizren: Arrestohet dilleri i drogës, Policia ia bastis shtëpinë

Më: 19 shtator 2023 Në ora: 08:01
Foto ilustrim

Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë tonë. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Një aksion i tillë është zhvilluar edhe gjatë ditës së djeshme në Prizren, ku Policia ka arrestuar një person.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është arrestuar në rrugën “Engjëll Berisha”, ku Policia fillimisht ndaloi një të ri, i cili u bë ‘sebep’ që të zbulohej kush është dilleri.

Media mëson se bëhet fjalë për të dyshuarin S.K., i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, nën dyshimin për shitblerje dhe shpërndarje të substancave narkotike.

Me rastin e kontrollit pasi i dyshuari u ndalua, Policia i ka gjetur një sasi të narkotikëve, si dhe një mjet të mprehtë.

Të njëjtat burime thonë se pas arrestimit, njësitë policore kanë kryer edhe bastisje në shtëpinë e tij, ku kanë gjetur disa qese me mbi 60 doza të marihuanës, që janë sekuestruar edhe me provat e tjera.

Pas përfundimit të proceduarve policore, ndaj tij është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike, psikotrope ose analoge.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat