Deklarohet i pafajshëm roja i pyllit, akuzohej se i shkaktoi dëm APK-së mbi 30 mijë euro

Kronikë e zezë

Deklarohet i pafajshëm roja i pyllit, akuzohej se i shkaktoi dëm APK-së mbi 30 mijë euro

Më: 19 shtator 2023 Në ora: 16:34
Foto ilustrim

I akuzuari Abedin Haradini, në seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën se në cilësin e rojës së pyllit ka keqpërdorë detyrën zyrtare, duke i shkaktuar Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK) dëm në vlerë prej 30 mijë e 559 euro e 8 centë.

Një deklarim të tillë, i akuzuari Haradini e bëri të martën, pasi që u lexua aktakuza nga ana e prokurores Fetije Bajrami, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Absolutisht jo”, tha i akuzuari pasi u pyet se a ndjehet fajtor lidhur me rastin.

Në këto rrethana, gjykatësi i rastit Mentor Hajraj e njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij, avokatin Rifat Bllata, se kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës, në afat prej 30 ditësh nga dita e sotme.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 6 korrik 2023, Abedin Haradini akuzohet se prej datës së pacaktuar deri më 21 shkurt 2023, në Drejtorinë për Ekonomi, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural- Sektori i Pylltarisë, Komuna e Vushtrrisë, në terrenin Vesekovc-Bukogllavë, në cilësinë e rojes së pyllit, ka keqpërdorë detyrën zyrtare duke mos i pëmbushur detyrat e tij, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie pasurore për vete apo personin tjetër, ashtu që nuk ka arritur t’i arsyetojë prerjet ilegale dhe dëmet pyjore.

Sipas aktakuzës, prerja e drunjve në mënyrë ilegale kishte arritur sasinë prej 52.77m3, duke i shkaktuar Agjencisë Pyjore të Kosovës dëm material në vlerë prej 7 mijë e 831 euro e 34 centë.

Aktakuza thotë se Hajdari prej datës së pacaktuar deri më 21 shkurt 2023, në Drejtorinë për Ekonomi, Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural- Sektori i Pylltarisë, Komuna e Vushtrrisë, në terrenin pyjor Sllakovc, i ngarkuar për mbrojtje të pyllit, në cilësinë e rojes së pyllit ka keqpëdorur detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat e tij zyrtare.

Aktakuza thotë se kishte arritur t’i arsyetojë prerjet ilegale dhe dëmet pyjore, me ç’rast prerja e drunjve në menyrë ilegale kishte arritur sasinë prej 150.56m3, duke i shkaktuar Agjencisë Pyjore të Kosovës dëm material në vlerë prej 22 mijë e 728 euro e 46 centë, e në vlerë të përgjithshme, dëmi është 30 mijë e 559 euro e 8 centë.

Me këto veprime, sipas aktakuzës i akuzuari Haradini ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 77 të Kodit Penal.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat