Kosovarët jo rrallëherë japin shuma të majme parash te personat jokompetentë për të kryer shërbime të ndryshme, të cilët më vonë rezultojnë të jenë vetëm mashtrues.
Pre e një mashtrimi të tillë kanë rënë edhe një burrë nga fshati Bellanicë e Malishevës, i cili pagoi para të majme për të ndikuar në një rast gjyqësor.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuar për këtë rast është një qytetar i Luginës së Preshevës.
57-vjeçari dyshohet se ka marrë një shumë parash prej rreth 2 mijë euro nga malishevasit, me premtimin se do të ndikonte në një rast gjyqësor.
I dyshuari u arrestua gjatë ditës së djeshme në kufi, posa tentoi të hynte në Kosovë dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Burimet kanë zbardhur detaje nga dëshmia e tij, i cili ka deklaruar se ndonëse ka tërhequr paratë në fjalë, nuk ka përfituar asgjë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i dyshuari të ndalohet për 48 orë dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrim’.