Përdorimi i drogës është bërë një dukuri që po vazhdon të rritet dita ditës në Kosovë, pasi pothuajse çdo ditë raportohet për raste kur të rinjtë kapen duke bërë shitblerje ose duke konsumuar drogë. Në mesin e dukurive negative, është edhe armëmbajtja pa leje, gjë e cila cenon sigurinë e qytetarëve.
Njësiti i Antidrogës ka kryer bastisje dje në një shtëpi në rrugën ‘Zymer Haziri’ në Vushtrri, pas informacioneve se një person posedon narkotikë.
Mësohet se gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike, si dhe më pas janë gjetur edhe armë automatike dhe municion.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të prokurorit, ai do të hetohet në liri për veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.