Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri. Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë.
Të njëjtin fat e pati së fundi një person i mitur në Graçanicë, i cili dyshohet se është përfshirë në disa raste të vjedhjes.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 14-vjeçari dyshohet se ka vjedhur edhe një veturë dhe i njëjti është arrestuar gjatë ditës së martë.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit.
Mësohet se Gjykata i ka caktuar të dyshuarit masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Vjedhje’ dhe ‘Vjedhje e rëndë’.