3 muaj nga vrasja e 39-vjeçarit në Runik të Skenderajt, të dyshuarit ende nuk janë identifikuar

Kronikë e zezë

3 muaj nga vrasja e 39-vjeçarit në Runik të Skenderajt, të dyshuarit ende nuk janë identifikuar

Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 08:56
Foto ilustrim

Kanë kaluar tre muaj që nga 10 gushti 2023, kur kishte ndodhur vrasja e N.L (39-vjecar) dhe ishin plagosur tre të tjerë në fshatin Runik të Skenderajt, ndërsa të dyshuarit mbeten ende të paidentifikuar.

Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

“Deri tash, nuk është identifikuar e as arrestuar ndonjë person i dyshuar për këtë rast. Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria në koordinim me Policinë”, thuhet në përgjigjen e tij.

Policia e Kosovës (PK) kishte njoftuar se një person ka mbetur i vdekur ndërsa tre të tjerë janë plagosur, si pasojë e të shtënave me armë zjarri në një kafene në Runik të Skenderajt.

Lajmin e kishte konfirmuar Avni Zahiti, zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicë, i cili kishte thënë se dyshohet se dy persona të maskuar kishin hyrë në kafene, kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt… Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur”, kishte konfirmuar Zahiti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat