Jo rrallëherë objektet fetare nëpër qytete të ndryshme në Kosovë janë cak i hajnave. Shpeshherë arkat e ndihmave e kasafortat e mbushura me të holla bien në duart e keqbërësve.
Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur në kishën ortodokse në fshatin Bardhosh në Prishtinë.
Burimet kanë bërë me dije se kleriku fetar ka kërkuar mëngjesin e djeshëm ndihmën e Policisë, pasi i njëjti ka vërejtur se dera e kishës ishte hapur dhunshëm dhe ishte dëmtuar.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Bazuar në dëshminë e priftit, hajnat kanë vjedhur paratë nga arka ku mblidhen paratë për bamirësi, por sipas tij, nuk e di saktë se kur ka ndodhur kjo për shkak se nuk ka qenë në kishe për disa javë.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.