Përpos shtëpive private, banesave, bizneseve e institucioneve të ndryshme të cilat janë cak i vazhdueshëm i hajnave, ata syrin e kanë edhe te veturat e qytetarëve. Edhe në raste kur nuk e marrin veturat në tërësi, i thyejnë ato me shpresë që do gjejnë dhe do marrin ndonjë gjë me vlerë.
Cak i hajnave ishte dje edhe furgoni i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit në Gjakovë, e cila ishte e parkuar në oborrin e një servisi veturash.
Burimet e medias brenda Prokurorisë bëjnë me dije se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në kuadër të veprimeve hetimore kanë marrë dëshminë e punëtorit të autoservisit, i cili ka denoncuar rastin.
Bazuar në dëshminë e tij, një person ka vjedhur mjetet e punës që ndodheshin brenda furgonit.
Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, mirëpo janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.