Në vijim të ngjarjes së ndodhur në qytetin e Peqinit, burime pranë grupit hetimor pohuan se në ngjarjen e ndodhur në mesditë pranë kalasë së këtij qyteti grupi hetimor ka sekuestruar mbi 20 gëzhoja të dala nga dy armë të ndryshme që janë përdorur në vendin e ngjarjes, konkretisht kallashnikovi dhe pistolete.
Mësohet se nga këqyrja e pamjeve filmike ka rezultuar se nuk është qëlluar në ajër, siç thekson policia, por drejt.
Mësohet se Leonard Elezi dhe Adriatik Ceka fillimisht kanë debatuar me njeri-tjetrin dhe më pas është qëlluar me armë zjarri.
Ndërsa të tjera burime thanë se i pranishëm ka qenë edhe kryetari i Bashkisë së Peqinit, Bukurosh Maçi.
Ende nuk dihet se cili ka qene objektivi dhe shkaku i ngjarjes, por fatmirësisht nuk ka persona te lënduar edhe pse ngjarja ka ndodhur në një orar ku ka pasur qytetare të shumtë.
Njoftimi i Policisë Peqin - Informacion paraprak
Rreth orës 13:30, në lagjen “Xhami”, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet shtetasve Leonard Elezi, 50 vjeç dhe Adriatik Ceka, 40 vjeç, dyshohet se ky i fundit ka qëlluar me armë zjarri, në ajër.
Nga të shtënat nuk ka shtetas të dëmtuar.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe vijojnë krehjen e zonës, me qëllim kapjen e shtetasve L. E. dhe A. C. Ndërkaq, grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rastit.