Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. E shpeshherë të dyshuar për vjedhjet në biznese të ndryshme, dalin vetë punëtorët.
Kështu ka ndodhur në postën e shpejtë ‘PostMan’ në Fushë Kosovë, ku u raportua vjedhja e një shume të konsiderueshme parash.
Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije ekskluzivisht se i dyshuar për këtë rast është punonjësi i kompanisë, Visar Veseli, 42-vjeçar.
Sipas burimeve, e gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në rrugën ‘Hamdi Grajqevci’, ku Veseli bashkë me një koleg kishin shkuar për një porosi te një klient. Në momentin që kolegu i të dyshuarit ka dalë jashtë veturës, 42-vjeçar dyshohet ta ketë shfrytëzuar rastin dhe ka marrë paratë që ndodheshin në veturë, për t’u larguar më pas në drejtim të panjohur.
Bazuar në dëshminë e pronarit të kompanisë, vlera e parave që u vodh kap shifrën e rreth 10 mijë eurove.
Veseli i cili posedon edhe shtetësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, është arrestuar dje në pikën e kalimit kufitar, pasi ishte shpallur në kërkim policor.
Media mëson se gjatë intrvistimit në stacion policor, i dyshuari ka mohuar kategorikisht se ka kryer veprën për të cilën është arrestuar.
Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në banesën e të dyshuarit, por që nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’.
Ndryshe, rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
“Ankuesi mashkull kosovar ka njoftuar policinë se i janë vjedhur disa para nga kolegu i tij, i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.