Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur.
Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar edhe një burrë nga Gjakova, i cili ka raportuar se vajza e tij është zhdukur.
Mësohet se i njëjti ka deklaruar para Policisë se mëngjesin e së hënës e ka dërguar vajzën në shkollë dhe më pas kur shkoi ta marrë pas mësimit, ajo nuk ka qenë aty.
Përballë kësaj situate, familja vendosi që ta njoftojë Policinë.
Denoncimi i babait ka aktivizuar njësitet policore, me ç’rast është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që të nisin hetimet për gjetjen e vajzës dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.