Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur.
Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre.
Para dy ditësh një grua nga Istogu ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi ka bërë me dije se ka humbur kontaktet me vajzën e saj.
Sinjali mëson se nëna ka deklaruar se 15-vjeçarja ka dalë nga shtëpia të shtunën në mesditë dhe që atëherë nuk di asgjë për fatin e saj.
Përballë kësaj situate, ajo vendosi që ta njoftojë Policinë, me ç’rast i ka ngritur dyshimet se e bija ka nisur bashkëjetesën me një të rritur, duke i shkaktuar asaj frikë dhe shqetësim.
Denoncimi i nënës ka aktivizuar njësitet policore, me ç’rast është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që të nisin hetimet për gjetjen e vajzës dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.