Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar së fundi një grua nga fshati Vitomiricë në Pejë, e cila ka raportuar se ka përjetuar dhunë nga djali i bashkëshortit të saj.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se 44-vjeçarja ka deklaruar se i dyshuari derisa ishte në gjendje të dehur i ka bërë presion, duke i shkaktuar dhunë psikike, për çka ajo u detyrua ta denoncojë rastin.
Si rezultat, njësitë policore kanë shoqëruar në stacion policor të riun, i cili dyshohet se ushtroi dhunë ndaj njerkës së tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që i dyshuari të ndalohet, nën dyshimin për veprën penale ‘Dhunë në familje’.