Bixhozi i paligjshëm po sfidon shtetin. Aktivitete të tilla të organizimit të lojërave të fatit në vendin tonë janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepër penale, por kjo nuk po i ndalon qytetarët që të veprojnë kundërligjshëm.
Një rast i tillë është zbuluar dje në sheshin ‘Adem Jashari’ në Skenderaj, ku në një lokal po organizoheshin lojëra të fatit.
Burimet kanë bërë me dije se Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në lokal, ku kanë gjetur dhe sekuestruar televizorë, tiketa, kompjuterë e pajisje tjera që shërbejnë për zhvillimin e aktivitetit, si dhe para të gatshme.
Lidhur me rastin është arrestuar pronari i lokalit, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ndaj 42-vjeçarit kanë nisur hetimet për veprën penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të kundërligjshëm’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.