Tre të rinjtë, Përparim Kosumi 36-vjeçar, Ahmet Xhemajli 23-vjeçar dhe Avni Kosumi 30-vjeçar, kanë përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës, pas një hetimi disa mujor për identifikimin e të dyshuarve për disa vjedhje të rënda në Ferizaj. Të dyshuarit tashmë ndodhen në ndalim 48 orësh, raporton Gazeta Sinjali.
Lidhur me këtë ka reaguar këngëtari i njohur kosovar, Gramoz Aliu, i njohur me emrin artistik si Mozzik, shtëpia e të cilit ishte cak i hajnave pak kohë më parë.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Aliu ka njoftuar se tre të arrestuarit dyshohen se janë të përfshirë edhe në vjedhjen që ka ndodhur në shtëpinë e tij.
Reperi ka falënderuar Policinë për profesionalizmin dhe është shprehur i mahnitur nga shkathtësia e tyre.
“Qenkan arrestuar 3 persona të qytetit Ferizaj ku edhe dyshohen se njëra nga veprat kriminale që kan kryer është pikërisht shtëpia ime ( e vjedhur e thyer) .
Pak jam mahnit nga saktësia e tyre , pak nga shkathësia e tyre , pak nga profesionalizmi i tyre , por prap besoj nuk patën ku të shkojnë.
Qdo ditë qe i thash vetës gjatë këtyre 2 muajve ” Spo punojnë” ” Po pritojnë ” Policia paskam pas gabim .
Publikisht Falenderoj Ekipën e Sektorit Rajonal të Hetuesisë Ferizaj”, shkroi këngëtari Mozzik.