Pesë persona kanë pësuar lëndime trupore pasi janë sulmuar nga një qen endacak.
Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të premten rreth orës 20:00 në fshatin Sfeçël, në Podujevë.
Tutje bëhet e ditur se sipas të lënduarve, pasi janë sulmuar ata e kanë mbytur qenin.
“Pesë meshkuj kosovarë kanë pësuar lëndime trupore pasi janë sulmuar nga një qen endacak. Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor. Sipas të lënduarve, pasi janë sulmuar ata e kanë mbytur qenin”, thuhet në raport.
Ndërkaq, në vendin e ngjarjes përveç njësive policore ka dalë edhe ekipi i veterinarisë. Me vendim të prokurorit është iniciuar rasti.