Gjuajtja me armë mes dy grupeve në Gjilan, arrestohen dy të dyshuarit

Kronikë e zezë

Gjuajtja me armë mes dy grupeve në Gjilan, arrestohen dy të dyshuarit

Më: 10 janar 2024 Në ora: 08:30
Foto ilustrim

Në orët e para të 4 janarit, lagjja Kamnik e Gjilanit u trazua si pasojë e disa të shtënave me armë zjarri që dyshohet se u shkëmbyen mes vete nga dy grupe të rinjsh. Si pasojë e kësaj, ishin shkaktuar dëme materiale, pasi predhat e plumbave kishin goditur dy shtëpi dhe dy vetura që ndodheshin të parkuara.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se njësitë policore kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme në vendngjarje dhe më pas në kuadër të veprimeve hetimore janë bastisur tri lokacione.

Nga mbledhja e informacioneve fillestare, është identifikuar një person i dyshuar, i cili dyshohet se ka shtënë me armë automatike. Banesa e tij ishte cak i Policisë, të cilët kontrolluan hapësirën për të gjetur diçka të dyshimtë që mund të lidhet me rastin.

Mësohet se 26-vjeçari bashkë me një të dyshuar tjetër janë paraqitur në stacion policor, ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë, por që kanë mohuar të jenë përfshirë në ngjarje.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat