Pesë herë në ditë dëgjohet ezani nga minarja e xhamisë në kodër të fshatit Zabel në Gjilan, thirrje për besimtarët myslimanë për faljen e namazit.
Zakonisht xhamia e fshatit qëndron e hapur por në katër ditët e fundit dyert po mbahen të mbyllura për shkak të sigurisë.
Të dielën pas faljes së namazit të drekës besimtarët dolën nga Xhamia ndërsa një person i panjohur e theu arkën dhe paratë të cilat ishin të destinuara për bamirësi i mori me vete.
Një person që përkujdeset për xhaminë si zëvendës i Imamit i cili nuk ishte aty, tha se nuk dëshiron të flas por tregoi se në pamjet e kamerave të cilat i ka marrë Policia dallohet mirë fytyra dhe identiteti i personit që ka vjedhur paratë.
Xhamia e fshatit Zabel nuk ishte caku i vetëm i hajnave.
“Kanë ndodhur vjedhje në dy xhami, këtu në qytetin e Gjilanit ditën e djeshme po ashtu. Dhe dyshohet në të dy xhamitë janë vjedhur kasafortat në të cilat mblidhen mjete nga frekuentuesit e xhamive edhe këto mjete janë për qëllime të bamirësisë”, ka deklaruar Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë.
Cak i dytë i hajnave ishte xhamia në lagjen “Kodra e Dëshmorëve”, në Gjilan. Vlera e parave të vjedhura nuk dihet në asnjërën xhami, pasi që kasafortat ishin të mbyllura.
Deri më tani Policia nuk ka arritur të arrestojë asnjë person të dyshuar, ndërsa rastin e kanë cilësuar vjedhje e rëndë.