Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet për një rast të kanosjes që dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Lipjan, ku një grua është kërcënuar seriozisht nga një 33-vjeçar, për motive akoma të panjohura. Viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe si rezultat i dyshuari përfundoi në pranga.
Personi që po dyshohet se e kërcënoi me vrasje viktimën është Llukman Berbatovci nga Prishtina.
33-vjeçari, i cili nuk dihet se çfarë raporti ka pasur me viktimën, dyshohet se i ka shkuar asaj deri te shtëpia dhe e ka kanosur se do ta vrasë atë dhe familjen e saj.
Bazuar në dëshminë e viktimës, i dyshuari i është drejtuar me fjalët “s’do të guxosh të dalësh nga shtëpia..”, duke i shkaktuar asaj frikë e shqetësim.
Pas raportimit të rastit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë për veprën penale “Kanosje”.