Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familje, është shndërruar në një rutinë të pandashme, pasi çdo ditë e më shumë raportohen me dhjetëra raste të tilla.
Tragjeditë familjare, dyshimet për tradhti, abuzimi me alkoolin e bixhozin dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre.
Mësohet se një rast i tillë ka ndodhur në një familje në rrugën ‘Bashkim Suka’ në Prizren, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij.
43-vjeçarja ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku ka deklaruar se bashkëshorti i saj nën ndikimin e alkoolit ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari i cili është recidivist i dhunës në familje, është shoqëruar në stacion policor dhe i është nënshtruar testit të alkoolit, ku ka rezultuar në gjendje të dehur.
Me urdhër të prokurorit, 47-vjeçarit i është caktuar masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.