Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje. Cak i hajnave shpeshherë janë edhe shtëpitë e mërgimtarëve, të cilat në Kosovë mbesin të mbyllura në shumicën e muajve të vitit.
Njëjtë e ka pësuar shtëpia e familjes Qeriqi në Lipjan, pronari i të cilës jeton jashtë vendit. Shtëpia e tyre u thye nga hajnat të cilët arritën të vjedhin armë e stoli ari.
Media mëson se hajnat kanë arritur të ‘avullojnë’ nga shtëpia e mërgimtarit stoli ari që kapin vlerën e rreth 7 mijë eurove dhe armë e municion.
Posa rasti është denoncuar, njësitë policore kanë kryer në vendin e ngjarjes të gjitha ekzaminimet që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe çojnë në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Vjedhje e rëndë’, teksa vazhdojnë hetimet për gjetjen e të dyshuarve dhe arrestimin e tyre.