Policia e Kosovës të martën ka ndaluar një person në fshatin Llovcë të Gjilanit, të cilit i janë gjetur në veturë 11 kilogramë kanabis.
Sipas Policisë, vetura me të vërejtur zyrtarët policorë ka tentuar të shmanget, ku gjatë largimit ka goditur njërin prej zyrtarëve policor, duke i shkaktuar lëndime trupore, raporton Klan Kosova.
“Nga zyrtarët e njësisë kufitare është arritur të ndalohet vetura, të cilën e ngiste i dyshuari E.A., m/k (viti i lindjes 2001). Gjatë kontrollit në veturë janë gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë me peshë të përgjithshme rreth 11 kg”, thuhet në komunikatën e PK-së.
Nga Njësiti i Trafikimit me Narkotikë, në konsultim me prokurorin e shtetit janë ndërmarrë veprime hetimore duke kryer kontroll në dy shtëpi të banimit, ku nuk është gjetur asgjë e dyshuar.
Me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë, kurse është identifikuar edhe një person tjetër i dyshuar i cili gjendet në kërkim policor.