Rastet kur qytetarët kanë tendenca për të paguar shërbime të ndryshme me para të falsifikuara janë rritur. Qindra euro dyshohet që çdo ditë po vihen në qarkullim, në tregun e Kosovës.
Kështu kishte ndodhur muaj më parë në një pompë derivatesh në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, ku një person dyshohet se kishte paguar naftën me një kartëmonedhë të falsifikuar.
Burime brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se kartëmonedha e cila ishte sekuestruar për ekzaminim të mëtejshëm ka rezultuar e falsifikuar dhe më pas janë marrë veprimet hetimore që të identifikojnë personin e dyshuar.
Me këtë rast është arrestuar gjatë ditës së djeshme një 25-vjeçar, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurës policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që i riu të ndalohet për 48 orë nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikim i parasë’.