Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të dielën në mbrëmje në fshatin Baicë në Drenas, ku një grua u gjet pa shenja jete në shtëpinë e saj dhe akoma nuk dihen rrethanat në të cilat ka vdekur. Lidhur me rastin tashmë kanë nisur hetimet.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Drita Kiqinën, rreth 40-vjeçare, vdekjen e të cilës e ka konfirmuar ekipi mjekësor që intervenoi në vendin e ngjarjes.
Pas ekzaminimeve për shenjat vitale, mjeku ka konstatuar se e njëjta ka ndërruar jetë.
Viktima u gjet në banjon e shtëpisë dhe sipas informacioneve të para, trupi dyshohet se ka qëndruar aty për një kohë të gjatë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.