Vajzat dhe gratë vazhdojnë të përballen me persona të ndryshëm, të cilët nuk kursejnë metodë për t’i bërë ato për vete. Edhe atëherë kur vullneti i grave për këtë gjë mungon, shumë shpesh të dyshuarit shkojnë hapa më tej, duke tentuar që të krijojnë raporte me to përmes kërcënimeve e shantazhit.
Një ngjarje e tmerrshme dyshohet t’i ketë ndodhur një vajze në Fushë Kosovë, e cila sot ka raportuar se është marrë pa dëshirën e saj nga një person, i cili e ka mbajtur ‘peng’ në një motel në Çagllavicë.
Burimet kanë zbardhur detaje nga dëshmia e viktimës, e cila ka deklaruar se i dyshuari, i cili është i njohur për të, e ka marrë me forcë në veturën e tij dhe më pas e ka dërguar në motel.
Sipas saj, ai atje e ka mbajtur pa dëshirën e saj dhe të njëjtën e ka kërcënuar se nëse nuk do jenë bashkë, do ta vrasë atë dhe më pas veten. E po ashtu e ka kërcënuar se do i bëjë keq edhe personit me të cilin 25-vjeçarja është në lidhje dashurie.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes, teksa është arritur që të arrestohet i dyshuari 23-vjeçar.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.