Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës që përjetojnë kryesisht nga partnerët e tyre. Kjo dukuri shqetësuese ka marrë përmasa të mëdha kohëve të fundit dhe kjo po dëshmohet çdo ditë me numrin e këtyre ngjarjeve që denoncohen në Polici.
Një rast i tillë është raportuar së fundmi nga një 30-vjeçare në Prishtinë, e cila e ka denoncuar personin me të cilin është në lidhje dashurie qe një kohë dhe bashkëjetojnë.
Burimet kanë bërë me dije se viktima ka deklaruar se është kërcënuar seriozisht nga i dashuri përmes telefonit, duke i shkaktuar shqetësim e frikë.
Përballë kësaj situate, e njëjta ka kërkuar ndihmën e Policisë.
Si rezultat i denoncimit, Policia është aktivizuar për arrestimin e të dyshuarit, por i njëjti akoma nuk është kapur.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale ‘Kanosje’.