Seancat që mbahen në gjykatat në vendin tonë jo rrallëherë përcillen me tensione, që në plot raste kanë eskaluar edhe në kanosje serioze. Vendimet që merren revoltojnë shpesh palët e përfshira në raste të ndryshme, që pasojnë me konflikte.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kur u shpall aktgjykimi për një rast të tentim vrasjes në Vushtrri dhe u dënua i akuzuari.
Siç merr vesh media, disa familjarë të të dënuarit u denoncuan për kanosjen e palës së dëmtuar, pasi seanca përfundoi dhe dolën nga objekti i gjykatës.
Rasti u raportua nga viktimat, të cilët deklaruan se tre anëtarë të familjes së personit që u shpall fajtor i kanë kërcënuar seriozisht se do të hakmerren.
Si rezultat, Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Prezenca e tre të dyshuarve akoma nuk është siguruar, teksa rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale “Kanosje”.