Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.
E ndër arsyet më të shpeshta, janë edhe pakënaqësitë për shqiptimin e gjobave pas thyerjes së rregullave në trafik.
Burimet e medias brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një rast i tillë ka ndodhur dje në Gjilan, ku një 44-vjeçar dyshohet se ka sulmuar një polic.
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pasi i dyshuari refuzoi ta prezantojë dokumentacionin që iu kërkua nga Policia.
Përveç refuzimit, i dyshuari u kap me policët, të cilët i ka paralajmëruar se “50 njerez i bi, kush jeni ju” – dhe më pas ka dalë nga vetura dhe e ka sulmuar njërin prej tyre.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se i dyshuari i cili ka qenë edhe nën ndikimin e alkoolit është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për kryerjen e veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe i njëjti është liruar.