Urdhrat që lëshojnë Gjykatat ndaj personave të cilët kanë kryer dhunë në familje jo gjithmonë respektohen dhe për pasojë vepra përsëritet. Gratë janë viktimat më të shpeshta, të cilat kërkojnë ndihmën e Policisë si pasojë e presionit dhe dhunës kryesisht nga bashkëshortët.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate në Gjakovë, ku një person dyshohet se ka shkelur urdhrin mbrojtës dhe i ka shkuar ish bashkëshortes te shtëpia.
Media mëson se 41-vjeçari, në gjendje të dehur, i ka shkaktuar shqetësim ish gruas, duke tentuar që t’i futet në shtëpi me forcë.
Përballë kësaj situate, viktima ka denoncuar rastin në Polici dhe ka kërkuar ndihmë.
Burimet e njëjta thonë se njësitë policore kanë arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar hetimi dhe i është caktuar masa e ndalimit policor.