Arrestohet zyrtari komunal në Mitrovicë të Jugut, u zu në flagrancë duke marrë 200 euro ryshfet

Kronikë e zezë

Arrestohet zyrtari komunal në Mitrovicë të Jugut, u zu në flagrancë duke marrë 200 euro ryshfet

Më: 4 korrik 2024 Në ora: 14:37
Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar zyrtari komunal në Mitrovicë të Jugut, B.S, pasi dyshohet se i ka kërkuar ryshfet një qytetari për rregullimin e dokumentacionit për përfitimin e një grandi që lidhet me ri-atdhesim.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit (NjHKEK) – Mitrovice Jug, pas një informate (denoncimi) lidhur me dyshimin se personi i dyshuar B.S.,(viti i lindjes 1961, mashkull kosovar), në cilësi të personit zyrtar komunal, ka kërkuar ryshfet nga një qytetar për rregullimin e dokumentacionit për përfitimin e një GRANDI që lidhet me ri-atdhesimin.”

I dyshuari është arrestuar në flagrancë duke e marrë ryshfetin 200 euro.

“Hetuesit policorë nga NjRHKEK-Mitrovicë Jug, në koordinim me prokurorinë, më 04.07.2024 rreth orës 12:20, në sheshin ,,Isa Boletini” në Mitrovicë ka arrestuar në flagrancë të dyshuarin pasi i njëjti ka marrë ryshfetin në shumën prej 200 eurove.”

“Hetimi për rastin është zhvilluar me aplikim të masave të fshehta hetimore dhe për zhvillimin e operacionit, policia ka pasur urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës – Departamenti për Krime të Renda. Lidhur me këtë është iniciuar rasti ‘marrja e ryshfetit’, është njoftuar prokurori i çështjes, i cili të dyshuarit i ka caktuar masën e ndalimit policor prej 48 orë.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat