Një biçikletist ka humbur jetën si pasojë e përplasjes me një veturë sot në Llugë të Podujevës.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës Florie Ahmeti tha për KosovaPress se rasti ka ndodhur rreth orës 16:20.
“Në fshatin Llugë të Podujevës, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident, kanë qenë të përfshira, një biçikletë dhe një automjet në lëvizje.
Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar biçikletisti, i cili nuk ka arritur të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, ka thënë Ahmeti.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit të aksidentit.