Konfliktet në lokale të ndryshme në qytetet e Kosovës, si dhe në diskoteka të cilat veprojnë pas mesnate janë bërë mjaft të shpeshta. Këto raste jo rrallëherë eskalojnë edhe në përleshje fizike qoftë brenda apo edhe jashtë tyre. Kështu ka ndodhur së fundmi në parkingun e një diskoteke në Gjilan.
Një 17-vjeçar ka raportuar se një person e ka sulmuar në parkingun e diskotekës “Stop” për motive akoma të panjohura.
Media ka mësuar ekskluzivisht se personi i dyshuar është Engjëll Latifi, 18-vjeçar, i cili përfundoi më pas në mbajtje.
Latifi po dyshohet se e ka goditur viktimën në parking, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Si rezultat i denoncimit, i njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Gjilan.